Manchester United ka pësuar një goditje të rëndësishme në përpjekjet për të emëruar trajnerin e ri, pas shkarkimit të Ruben Amorim nga posti i drejtuesit teknik. “Djajtë e Kuq” morën vendimin për t’u ndarë nga trajneri portugez të hënën, vetëm një ditë pas barazimit 1-1 ndaj Leeds United në “Elland Road”.
Në momentin e largimit të tij, Manchester United renditej në vendin e gjashtë në Ligën Premier, ndërsa vendimi thuhet se erdhi pas një takimi të tensionuar me drejtorin sportiv Jason Wilcox. Amorim arriti të fitojë vetëm 38.1% të ndeshjeve në krye të skuadrës, një statistikë që ndikoi ndjeshëm në vendimin e drejtuesve të klubit.
Trajneri portugez pritet të përfitojë një dëmshpërblim të konsiderueshëm, pasi kontrata e tij ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
Ndërkohë, klubi ka vendosur që ish-mesfushori Darren Fletcher të marrë drejtimin e ekipit në mënyrë të përkohshme, duke u ngjitur nga ekipi U18, derisa të merret një vendim për trajnerin e ri të përhershëm.
Në listën e kandidatëve të përfolur për stolin e “Old Trafford” përfshihen emra të njohur si Oliver Glasner, Andoni Iraola, Enzo Maresca, Thomas Tuchel, Marco Silva, Mauricio Pochettino dhe Xavi Hernandez.
Gjithashtu, Manchester United kishte shfaqur interesim edhe për ish-trajnerin e Interit, Simone Inzaghi, i cili fitoi titullin e Serie A në vitin 2024 dhe e çoi ekipin zikaltër në dy finale të Ligës së Kampionëve. Inzaghi aktualisht drejton Al Hilal dhe së fundmi arriti deri në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube, pas një fitoreje spektakolare 4-3 ndaj Manchester Cityt.
Sipas gazetarit Nicolo Schira, United kishte kërkuar informacion për trajnerin italian, por ai preferon të vazhdojë aventurën në Arabinë Saudite, pasi ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Al Hilal në qershor të vitit 2025.
Besohet se drejtuesit e Manchester United po planifikojnë të emërojnë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit dhe të presin afatin kalimtar të verës për të sjellë pasuesin e përhershëm të Amorim.
Ndërkohë, raportimet e fundit sugjerojnë se Ole Gunnar Solskjaer është favoriti kryesor për një rikthim të dytë në stolin e “Djajve të Kuq”.






