Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të bllokojë çdo pasuri të mundshme që presidenti i arrestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, mund të ketë në territorin zviceran. Vendimi u mor të hënën dhe hyn në fuqi menjëherë.
Sipas autoriteteve zvicerane, masa zbatohet në kuadër të një rregulloreje për ngrirjen e aseteve, e cila do të jetë në fuqi për një periudhë katërvjeçare, duke filluar nga 5 janari 2026. Megjithatë, anëtarët aktualë të qeverisë venezuelane janë të përjashtuar nga kjo masë, shkruan Blick, transmeton Insajderi.
Nicolas Maduro u arrestua më 3 janar nga forcat amerikane dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara. Arrestimi pasoi sulmet e kryera nga SHBA gjatë natës së së shtunës kundër disa objektivave në Venezuelë. Sipas autoriteteve amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij dyshohet se janë përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me trafikun e drogës.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës reagoi duke theksuar se situata mbetet e paqëndrueshme. “Situata është volatile dhe në ditët e javët në vijim janë të mundshme disa skenarë”, thuhet në deklaratën zyrtare. Zvicra njoftoi se po e ndjek nga afër zhvillimin e ngjarjeve.
Bernë ka bërë thirrje për deeskalim të situatës, vetëpërmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar ndalimin e përdorimit të forcës dhe respektimin e integritetit territorial. Gjithashtu, Zvicra ka ofruar sërish shërbimet e saj të mira për të gjitha palët e përfshira, me synimin për të kontribuar në një zgjidhje paqësore të krizës.






