Përgatiti: Armand Hoti
Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë nuk u pajtua me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kështu, partia në pushtet dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër vendimit të PZAP-së.
Për ta bërë këtë, u angazhua hiç më pak se zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili është edhe përfaqësues i zyrës ligjore të Vetëvendosjes.
“Sapo e dorëzuam ankesën kundër vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme për faktin se sjelljet dhe veprimet e Listës serbe janë kundërligjore, kundër-Kushtetuese dhe si e tillë ne si subjekt politik kemi bërë ankesë kundër vendimit të PZAP-së dhe presim që Supremja të merr vendim meritor në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Sallahu.
Sallahu thotë se Lista Serbe, është subjekt politik që përbën rrezik për sigurinë nacionale. Mbështetur në këtë, ai pret që Gjykata Supreme ta aprovoi ankesën e VV-së.
“Veprimet që konsistojnë me mbështetje të terrorizmit në Banjskë dhe me veprime tjera që i përgjigjen komplet veprimeve terroriste të Beogradit zyrtar, kemi kërkuar nga Gjykata Supreme të jap qëndrimin e vet mbi këtë situatë dhe besoj se Supremja duke u bazuar në sigurinë nacionale, do të marrë vendim konform ruajtjes së sigurisë nacionale dhe kësisoj të mos e lejojë Listën serbe që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për vitin 2025”, tha Sallahu.
Vetëvendosje u ankua përkundër deklarimit të anëtarit të saj në KQZ, Sami Kurteshi, i cili kishte thënë të enjten se nuk do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme.
E PZAP të mërkurën e kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe, për certifikim.