Luis Enrique është shpallur “Trajneri më i Mirë” për meshkuj nga FIFA, si vlerësim për një sezon të jashtëzakonshëm në krye të Paris Saint-Germain.
Trajneri spanjoll e udhëhoqi klubin parisien drejt historisë, duke fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve. PSG triumfoi në mënyrë spektakolare në finale, duke mposhtur Interin me rezultatin e thellë 5-0.
Dominimi i skuadrës së Luis Enrique nuk u ndal vetëm në Evropë. PSG sundoi edhe në garat vendase, duke fituar Ligue 1, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës, duke kompletuar një sezon pothuajse perfekt.
Paraqitje mbresëlënëse u shënuan edhe në arenën ndërkombëtare. Edhe pse u mposhtën në finale të Kupës së Botës për Klube, parizienët zhvilluan një rrugëtim të jashtëzakonshëm, me fitore të mëdha ndaj gjigantëve si Bayern Munich dhe Real Madrid.
Arritjet kryesore të Luis Enrique me PSG: Fitues i Ligës së Kampionëve, fitues i Ligue 1, fitues i Kupës së Francës, fitues i Superkupës së Francës, Nënkampion i Kupës së Botës për Klube, po ashtu edhe “Trajneri i Vitit” në Ligue 1 nga UNFP.






