uftimi i korrupsionit do ta sjell Kosovën më afër Bashkimit Evropian (BE), kështu u tha në tryezën e rrumbullakët me temën “Ndikimi i korrupsionit në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian” që u mbajt në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit.
Po ashtu në këtë tryezë u tha se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në luftën të kundër korrupsionit, institucionet duhet të rrisin transparencën që qytetarët të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe shpenzohet paraja publike.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli u shpreh se ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin në BE është i dukshëm dhe i drejtpërdrejt. Sipas saj, është thelbësore që institucionet të rrisin transparencën, që qytetarët të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe shpenzohet paraja publike.
“Përderisa Kosova synon integrimin në Bashkimin Evropian ndër problemet tjera kemi edhe një sfidë tjetër që është korrupsioni. Kjo pengesë jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet tona, por edhe vë në dyshim seriozitetin e angazhimit tonë për vlerat evropiane. Ndikimi i korrupsionit në negociatat për anëtarësimin në BE është i dukshëm dhe i drejtpërdrejt. Korrupsioni pengon progresin e reformave, ndikon negativisht në ekonomi dhe krijon një imazh të paqëndrueshëm për vendin në sytë e partnereve tanë ndërkombëtar. Në këtë kontekst është jetike që të ndërmarrim hapa konkret për të luftuar këtë fenomen. Ajo që shihet si nevojë imediate është implementimi me rigorozitet i legjislacionit kundër korrupsionit, kjo d.m.th, zbatim të plotë, të paanshëm të ligjeve, si dhe ndëshkimin e atyre që shkelin këto ligje, pa marrë parasysh pozitën dhe statusin e tyre. Është thelbësore që institucionet tona të rrisin transparencën, qytetarët duhet të kenë qasje të hapur në informacione mbi mënyrën se si merren vendimet dhe shpenzohet paraja publike”, tha Demolli-Nimani.
Ndërsa, shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi, dhe sipas saj Kosova duhet të punojë ngushtë me BE, ShBA-të dhe organizatat ndërkombëtare për të ndarë praktikat më të mira kundër luftimit të korrupsionit.
Edhe Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbe tha se luftimi i korrupsionit do të sjell Kosovën më afër Bashkimit Evropian, për çfarë tha se institucionet duhet të punojnë në këtë drejtim.
“Kundër korrupsionit do të kemi po ashtu edhe hetime, që të kemi një përndjekje dhe dënime të suksesshme dhe do të përfundojnë në burg dhe Kosova do të ndërmerr masat kundër korrupsionit, po ashtu dhe që të ketë një transparencë dhe llogaridhënës, kjo është e vetmja mënyrë që Kosova të ecë përpara po ashtu edhe për rrugëtimin në Evrope. Duke e bërë këtë do ta sjell Kosovën më afër në Bashkimin Evropian, do të shihet nga Brukseli dhe nga anëtarët në shtetet anëtare si një çështje shumë të rëndësishme dhe e sjell Kosovën në drejtimin e BE-së”, u shpreh Lobbe.
Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj u shpreh se ky institucion është duke punuar në këtë drejtim, derisa shtoi se kanë shënuar progres dhe janë në trend pozitiv në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.
“Kryesisht duke përfshirë edhe raportin e vendit është mirë të niset nga ana pozitive, shënon progres, edhe pse mund të jetë i kufizuar. Në qoftë se shohim raportet tjera ndërkombëtare, po ashtu shënojnë progres, jemi në trend pozitiv qoftë të parandalimit po ashtu edhe të luftimit të korrupsionit. Kemi mjaft shembuj të mirë, duke filluar qoftë nga institucioni që unë drejtoj, kemi një rritje më të madhe të transparencës të zyrtareve publikë, e cila pa transparencë është shumë problem të parandalohet korrupsioni…Pra, si institucion ne besojmë që është duke u bërë një progres dhe duhet të vazhdohet”, tha Buleshkaj.
Ndërkaq, Burbuqe Kastrati nga Lëvizja Fol derisa ka prezantuar një hulumtim të bërë me qytetarë në këtë fushë, e cila tha se sipas disa përgjigjeve të qytetarëve, ekonomia dhe drejtësia shihen si dy fusha ku Kosova qëndron më së largu në raport me shtetet anëtare.
“Në aspektin e qeverisjes së brendshme, rezultatet ilustrojnë se qytetarët besojnë se në rrafshin ekonomik dhe sundimit të ligjit, Kosova qëndron më prapa në raport me gatishmërinë për integrim krahasuar me fushat e shërbimeve publike dhe qeverisjes. Pra, ekonomia dhe drejtësia shihen si dy fusha ku Kosova qëndron më së largu në raport me shtetet anëtare të BE-së. Mungesa e profesionalizimit, kapacitetet e dobëta, korrupsioni dhe klientelizimi konsiderohen si katër pengesa më të mëdha në raport me qeverisjen dhe shërbimet publike”, thaKastrati.
Kastrati po ashtu u shpreh se nga të gjeturat e hulumtimit që kanë zhvilluar me qytetarë në 38 komuna, disa nga sfidat që mendojnë qytetarët që ndikojnë në rrugën e Kosovës në BE, janë mosnjohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, mosnormalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe se BE nuk është e interesuar mjaftueshëm që Kosova të bëhet anëtare e saj./kp