Presidenti amerikan Joe Biden planifikon t’i japë Ukrainës raketa të avancuara me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar Kievin në kundërofensivë të vazhdueshme, raportojnë mediat amerikane.
Mediat citojnë zyrtarë amerikanë të njohur me këtë çështje të kenë thënë se Ukraina do të marrë disa raketa ATACMS me një rreze veprimi deri në 190 milje (300 km).
Kjo do t’i mundësonte Kievit të godiste objektivat ruse thellë pas vijës së frontit.
Të paktën një raketë ukrainase goditi selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krimenë e aneksuar të premten.
Një burim ushtarak ukrainas i tha BBC-së se sulmi në portin e Sevastopolit u krye duke përdorur raketa Storm Shadow, të cilat furnizohen nga Britania dhe Franca, duke theksuar rëndësinë e armatimit perëndimor për Kievin.
Raketa të tilla kanë një rreze prej pak më shumë se 150 milje.
‘NBC News’ dhe ‘Wall Street Journal’ citojnë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të kenë thënë se Presidenti Biden i tha homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky se Kievi do të merrte “një numër të vogël” raketash ATACMS (Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë). Të dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
‘Wall Street Journal’ shton se armët do të dërgohen në javët në vijim.
As SHBA dhe as Ukraina nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht raportet e mediave amerikane./BBC/