MINTI shton kontrollet ndaj pikave të karburanteve, nafta bie në 1.79 euro për litër

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut të derivateve të naftës në Kosovë, me qëllim që rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektohet edhe në tregun vendor.
Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), gjatë ditëve të fundit janë shtuar aktivitetet inspektuese në pikat e shitjes së derivateve.
Reklamë
MINTI ka bërë të ditur se në baza ditore pranon nga Dogana e Kosovës të dhëna zyrtare për çmimet e importit të derivateve, të cilat shërbejnë si bazë për analizimin dhe mbikëqyrjen e çmimeve të shitjes në tregun vendor.
Sipas ministrisë, gjatë analizimit të çmimeve merren parasysh tri referenca kryesore: çmimi mesatar i furnizimit të ditës paraprake, çmimi mesatar i furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimi mesatar i shitjes në tregun vendor.
Nga inspektimet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur se rënia e çmimeve të derivateve në tregjet globale ka filluar të reflektohet edhe në Kosovë.
Sipas të dhënave të MINTI-t, gjatë 24 orëve të fundit çmimi mesatar i naftës ka rënë nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi mesatar i benzinës është 1.43 euro për litër.
Ministria ka bërë të ditur se mbikëqyrja e tregut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me fokus në mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën dhe parandalimin e devijimeve të pajustifikuara të çmimeve nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.
MINTI synon që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe me kohë edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në Kosovë.
Reklamë







