Juventusi duket se ka gjetur trajnerin e ri pas shkarkimit të Igor Tudor. Sipas raportimeve të fundit, “Zonja e Vjetër” ka vendosur që Luciano Spalletti të jetë prioriteti kryesor për drejtimin e skuadrës në vazhdim të sezonit.
Gazetari i njohur Fabrizio Romano ka raportuar se Spalletti i ka dhënë dritën jeshile ofertës së klubit torinez, ndërsa marrëveshja verbale mes palëve thuhet se tashmë është arritur.
Trajneri italian pritet të nënshkruajë një kontratë njëvjeçare, me opsion rinovimi automatik në rast se Juventusi arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Spalletti, i cili së fundmi drejtoi Kombëtaren e Italisë, u shkarkua nga ky post në qershor, pas ndeshjes me Moldavinë. Më herët, ai ka udhëhequr me sukses ekipe si Napoli, me të cilin fitoi
Serie A në sezonin 2022/23, si dhe Interin, Romën dhe Zenit St. Petersburg.
Nëse marrëveshja zyrtarizohet, rikthimi i Spallettit në Serie A pritet të jetë një nga lëvizjet më të rëndësishme të këtij sezoni. /ATVLIVE.TV







