Përgatiti: Driton Sadiku
Trupi i pajetë i Liridona Ademajt, nga sot do të prehet në vendlindje.
Pasi familjes Ademaj iu mundësua zhvarrosja e të bijës së saj, qindra qytetarë sot morën rrugë drejt Rracajt të Gjakovës në rivarrimin e Liridonës.
Në mesin e shumë qytetarëve, të pranishëm në varrim ishin edhe ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Për vrasjen mizore të saj tashmë në paraburgim janë 3 të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-bashkëshorti Naim Murseli.
Sipas dosjes fillestare të prokurorisë, Murseli, madje, dyshohet se e kishte paguar 30 mijë euro të arrestuarin tjetër Granit Plavën për ta kryer vrasjen.
E gjitha, sipas dosjes së prokurorisë, që e ka parë edhe televizioni, ishte bërë edhe me ndihmën e një personi të tretë, në këtë rast Kushtrim Kokalla, që kishte vënë në kontakt Naim Murselin me Granit Plavën, pasi ky i fundit kishte pranuar se merret me gjithçka. Kësisoj, sipas dosjes, të tre janë marrë vesh që përmes një grabitjeje të inskenuar ta vrasin tashmë të ndjerën.
Vrasjet e tilla të porositura, gjykata nuk i njeh si të ndara, por kategorizohen si vrasje e rëndë. E në bazë të kësaj edhe dënimet mund të jenë maksimale.
“Kodi penal e njeh veprën penale e cila kryhet me dashje dhe nga pakujdesia, në këtë rast kemi të bëjmë me vrasje të kryer me dashje e ku si motiv i dyshuar mund të ketë qenë pagesa. Kjo është e dënueshme dhe ligji ka paraparë dënime maksimale, me burgim të përjetshëm”, tha avokati Arbër Jashari.
Hiç më lehtë nuk shpëtojnë as ata që urdhërojnë vrasjen.
“Janë disa forma të bashkëpunimit, njëra prej tyre është edhe bashkëkryerja, e kam parë se këtë vepër penale prokuroria e ka cilësuar si vrasje e kryer në bashkëkryerje dhe sipas ligjit, bashkëkryerësi dënohet njësoj sikur ai që e ka kryer veprën penale, pra mund të dënohet me dënimin më të madh që është paraparë, pra nuk ndahet përgjegjësia”, tha Jashari.
Për 3 të dyshuarit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: