1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Limaj e quan Osmanin shkelëse të Kushtetutës: VV-ja do ta digjte Kosovën po të ishte në opozitë

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova do të “digjej” nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ishte në opozitë e të arrihej një marrëveshje e tillë me Serbinë. Ndërkaq presidenten Vjosa Osmani e quan shkelëse të Kushtetutës, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Nismës ka thënë për Ekonomia Online se është e pamjaftueshme që opozita të bëhet me vetëm fjalime në Kuvend e debate publik në televizion. Sipas tij, janë me mijëra mënyra e të bërit opozitë.

Limaj konsideron se punën e opozitës më shumë po e bëjnë mediat se sa liderët opozitarë.

“Fatkeqësisht kjo opozita parlamentare është në një kompleks. Ende nuk është çliruar nga një kompleks i çuditshëm për mua edhe në shumë veprime të këtij kryeministri ka faj opozita me heshtjen e saj, me mosaktivizimit të saj, mungesën e një opozitarizmi aktiv. Sot qytetarët e Kosovës janë në mjegull, shumica prej qytetarëve nuk e dinë çka është marrëveshja e Brukselit, qytetarët ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës, dhe këtë shpjegim para se të gjithash duhet ta jap opozita, dhe ky shpjegim nuk bëhet me një fjalim në Kuvend, dhe ky shpjegim nuk bëhet një herë në javë në seancë e as në një debat publik në televizion”, ka thënë Limaj.

“Nuk mundet media me ia krye 100 për qind punën e opozitës, siç po tentojnë drejtuesit e opozitës. Krejt çka është duke bërë sot opozita në Kosovë, fatkeqësisht është kufizuar në ato seancat plenare, në të cilat edhe aty nuk është duke e mbrojtur çështjen si duhet. s’ka iniciativa të mjaftueshme. Kurrë Kosova nuk ka pasur dialog më jo transparent se që ka ndodhur në kohën e Kurtit, të ka ardh marrëveshja dhe janë dy seanca për dialogun”, u shpreh tutje Limaj.

Limaj ka parashikuar edhe çfarë do të ndodhtë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ishte aktualisht në opozitë.

“E kish djegë Kosovën. Për këtë marrëveshje e kishte djeg Kosovën. Absolutisht e kish djeg Kosovën. Me ato zgjedhje që janë bërë në veri, e kish tranu Kosovën, edhe çka ka ndodh, opozita në vend që të dal me stopu këto hapa që po i bën kryeministri, ata në një farë mënyrë pjesërisht po i legjitimojnë hapat e tij, sikurse që ishte pjesëmarrja në zgjedhje në veri të Kosovës”, ka thënë Limaj.

Limaj ka kritika edhe për mënyrën se si është trajtuar rasti i shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sipas tij, presidentja Osmani ka bërë shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

“Opozita e ka me shkelje të Kushtetutës edhe nuk ka bërë zë. Prej shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së Valdete Daka e radhazi që ato gjëra po t’i dërgonin në Gjykatë Kushtetuese, ishin nxjerrë që presidentja e ka shkel Kushtetutën. Opozita vetëm një gjë duhet ta kenë të qartë, nuk ka nevojë ta bëjnë opozitën e VV-së, ka 1 milion mënyra që bëhet një opozitë normale, dhe këtë nuk po bëjnë”, tha Limaj.

Limaj ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin thotë se kryeministri aktual nuk ka fare merita në këtë proces.

Ndërkaq sipas Limajt, aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës, është si rezultat i luftës në Ukrainë, raporton EO.

“Nuk janë rezultat i tij asnjëra nga këto. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar në vitin 2017 kur Komisioni Evropian kur kemi dalë në konferencë shtypi dhe komisionerja ka deklaruar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, dhe vonesat pas 2017-ës, janë vonesa burokratike të Bashkimit Evropian të cilët më e tepruan e keqtrajtuan këtë vend për 12 vjet. Bile ai proces nuk është as lajm sepse në këtë proces Kosova është keqtrajtuar. Te aplikimi për në Këshill të Evropës, po ashtu është proces që ka nis në 2011-ën, e që rrugës është ndalë për shkak të zhvillimeve politike, për shkak të situatave. Kjo që po na vjen sot më tepër është si rezultat i asaj që po ndodh në Ukrainë pasi Rusia nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës”, u shpreh ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA