Arsène Wenger, ish-trajneri legjendar i Arsenalit dhe aktualisht drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA, ka propozuar një ndryshim revolucionar në rregulloren e futbollit, që tashmë është rikthyer në tryezën e IFAB-it – organi që miraton çdo ndryshim zyrtar të rregullave të lojës.
Propozimi i njohur si “Ligji i Wenger-it” synon të transformojë mënyrën se si interpretohet pozicioni jashtë loje. Ai u paraqit për herë të parë dy vite më parë, por u shty për shqyrtim të mëvonshëm. Sot, ky rregull është rikthyer fuqishëm dhe ka gjasa të sjellë një ndryshim të thellë në futbollin modern, shkruan gazeta AS nën titullin: “Ligji i Wenger-it po zihet. Futbolli po dridhet.”
Sipas ndryshimit të sugjeruar nga Wenger, një sulmues nuk do të konsiderohet më jashtë loje nëse ndonjë pjesë e trupit të tij është në vijë me mbrojtësin. Ai do të quhej jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij është përpara mbrojtësit të fundit. Ky rregull do të reduktonte ndjeshëm rastet e diskutueshme ku milimetra të padukshëm për syrin e lirë bëjnë diferencën në anulimin e golave.
Me ndihmën e teknologjisë së avancuar – përfshirë topa me çipa të integruar dhe kamera të sofistikuara në stadiume – do të bëhet e mundur identifikimi i saktë i pozicionit të lojtarëve në çdo moment.
Rregulli është ri-paraqitur në IFAB pas një pauze dyvjeçare. Ish-gjyqtari ndërkombëtar Iturralde González, në një intervistë për emisionin Carrusel Deportivo, shpjegoi se propozimi do të shqyrtohet nga një komitet prej 23 lojtarësh dhe 11 gjyqtarësh, i kryesuar nga vetë Wenger.
Nëse miratohet nga ky grup, rregulli do të kalojë në mbledhjen e përgjithshme të IFAB-it që është planifikuar të mbahet në shkurt. Sipas González, “zakonisht miratohen rreth 95% e propozimeve që arrijnë në këtë fazë”.
Qëllimi kryesor i rregullit është rritja e numrit të golave dhe reduktimi i polemikave që lidhen me pozicionet jashtë loje me diferenca minimale. Megjithatë, jo të gjithë në botën e futbollit janë entuziastë, pasi ndryshimi do të ndikonte ndjeshëm në taktikat mbrojtëse dhe organizimin e skuadrave.
Në fillim, rregulli do të testohet në kompeticione më të vogla. Megjithatë, ka shqetësime se mund të jetë tepër herët për ta zbatuar në nivele të larta, siç është Kupa e Botës e ardhshme. AS komenton: “Frika më e madhe është që rregulli nuk do të zbatohet në Kupën e Botës verën e ardhshme, pasi ndryshimi radikal sjell pasiguri dhe shqetësim mes lojtarëve, trajnerëve dhe federatave”. /ATVLIVE.TV