Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Florentino Pérez, duke ngritur dyshime mbi arsyet pse kreu i Real Madridit po flet tani për çështjen “Negreira”.
“Nuk e kuptoj pse Florentino po flet papritur për Negreira, kur më parë nuk ka folur kurrë për këtë temë”, është shprehur Laporta. Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit lidhet drejtpërdrejt me prishjen e marrëdhënieve mes dy klubeve në nivel institucional.
Laporta theksoi se vetëm një vit më parë, Barcelona dhe Real Madridi ishin të përfshirë së bashku në projekte të rëndësishme, përfshirë Superligën Evropiane. Megjithatë, situata ndryshoi kur ky projekt nuk pati sukses dhe Barcelona arriti një marrëveshje me UEFA-n.
“Kur pa se kjo nuk funksionoi dhe se ne arritëm një marrëveshje me UEFA-n, ai ndryshoi qëndrim”, shtoi presidenti i Barcelonës, duke lënë të kuptohet se sulmet aktuale kanë më shumë prapavijë politike dhe strategjike sesa sportive.
Deklaratat e Laportës pritet të ndezin edhe më shumë tensionet mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, në një moment delikat për futbollin evropian dhe të ardhmen e reformave në kompeticionet kontinentale.






