Në Kosovë është funksionalizuar platforma “Kosovo Volunteers”, një nismë e re që synon të njohë dhe dokumentojë angazhimin vullnetar të të rinjve, duke e shndërruar atë në një vlerë të matshme për zhvillimin profesional.
Sipas ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, kjo platformë do të mundësojë edhe certifikimin zyrtar të punës vullnetare, duke i dhënë asaj peshë konkrete në tregun e punës.
“Përmes saj, kontributi juaj do të njihet si një vlerë konkrete që ndikon në zhvillimin tuaj profesional. Në të njëjtën kohë, vullnetarizmi përmes kësaj platforme do të shërbejë si një parapërgatitje e rëndësishme për tregun e punës duke ju ndihmuar të ndërtoni aftësi praktike, përvojë dhe besim në vete”, ka theksuar Gashani.
Ai ka inkurajuar të rinjtë që të përfshihen aktivisht në këtë platformë, duke u bërë pjesë e një nisme që, sipas tij, fuqizon rininë dhe kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.






