Përgatiti: Arton Hamiti
Me qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet publike komunale, përmes platformës shtetërore “E-Kosova”, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të premten lansoi platformën “E-Komunat”.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, përmes kësaj strategjie qytetarët do të marrin shërbime më të mira dhe do të jenë më të informuar për zhvillimet në komunat e tyre.
“E kur flasim për shërbime, qëllimi nuk është vetëm digjitalizimi, por shërbimet duhet të ridizajnohen që ta kenë në fokus qytetarin. Parimi themelor gjatë ofrimit të shërbimeve është ai i gjithëpërfshirjes. Duhet të sigurohemi që asnjë qytetarë të mos mbetet mbrapa. Ne jemi të përkushtuar që ky proces transformues të jetë edhe i sigurt”, tha Kurti.
Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shtoi se përmes kësaj platforme do të rritet interaksioni mes qytetarëve dhe organeve komunale.
“Disa nga shërbimet që planifikohen në fazën e parë janë: Transmetimi i mbledhjeve të asambleve komunale, raportimi i problemeve në komunat përkatëse, informacionet mbi komunat, qasja te pasuria e zyrtarëve komunalë, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike. Përmes këtyre shërbimeve qytetarët kanë mundësi të adresojnë më lehtë kërkesat e tyre të organet komunale. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe shërbime të tjera”, tha Krasniqi.
Në ceremoninë e organizuar për lansimin e platformës “E-Komunat” morën pjesë edhe kryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut. Por, të pranishëm nuk ishin shumica e kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës.