Futbolli evropian i thotë lamtumirë një prej mbrojtësve që dikur renditej mes më të mirëve në botë, por karriera e të cilit u kushtëzua rëndë nga dëmtimet. Samuel Umtiti, kampion bote me Francën dhe ish-lojtar i Lyonit e Barcelonës, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist në moshën 31-vjeçare.
Lajmin e bëri publik vetë futbollisti në rrjetet sociale të hënën, ku ndau një mesazh emocional me ndjekësit e tij:
“Pas një karriere intensive, të mbushur me ngritje dhe ulje, ka ardhur koha të them lamtumirë… Kam dhënë GJITHÇKA me pasion dhe nuk pendohem për ASNJË GJË. Dua t’i falënderoj të gjitha klubet, presidentët, trajnerët dhe lojtarët me të cilët jam ndeshur në rrugën time,” shkroi Umtiti në Instagram.
Me kombëtaren “Les Bleus”, ai ka regjistruar 31 paraqitje dhe ka shënuar 4 gola. Momenti kulmor i karrierës së tij mbetet Kupa e Botës 2018, ku në gjysmëfinalen ndaj Belgjikës realizoi me kokë golin vendimtar që kualifikoi Francën në finale — një moment i paharrueshëm në historinë e futbollit francez.
Edhe pse kulmi i tij ishte i shkurtër, Umtiti do të mbahet mend si një lojtar i talentuar, që kontribuoi në nivelet më të larta të futbollit botëror dhe që la gjurmë në skenën ndërkombëtare, pavarësisht sfidave të shumta fizike. /ATVLIVE.TV