Sulmuesi anësor i Barcelonës, Lamine Yamal, është vizituar së fundmi nga mjeku specialist belg Ernest Schilders, për trajtimin e problemit të pubalgjisë që e ka shqetësuar prej disa muajsh.
Sipas gazetës Mundo Deportivo, Schilders nuk ka konstatuar ndonjë dëmtim serioz, çka ka sjellë lehtësim të madh si për futbollistin, ashtu edhe për klubin katalunas.
Mjeku belg ka lavdëruar gjithashtu stafin mjekësor të Barcelonës për identifikimin e hershëm të problemit dhe për programin efektiv të rikuperimit që i është ofruar 18-vjeçarit.
Yamal, që konsiderohet si një nga talentet më premtues në botë, ka filluar të rikthejë formën e tij më të mirë, duke shënuar në tre ndeshjet e fundit radhazi me Barcelonën.
Ai është gjithashtu përfshirë në listën e Spanjës për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës që do të zhvillohen këtë muaj.
Në total spanjolli në 11 ndeshjet e këtij sezoni me Barcelonën, numëron 6 gola dhe po aq asiste. /ATVLIVE.TV







