I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, është arrestuar mëngjesin e sotëm. Ai është gjetur i plagosur nga Policia e Kosovës.
Ai dyshohet se ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar, rreth 4 kilometra larg vendit ku kishte ndodhur rasti.
ATV-ja ka publikuar pamje nga atje.
Gjatë ditës, nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se i njëjti dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.
Ai ka marrë trajtim mjekësor në QMF-në e Malishevës, për t’u transferuar më pas për në QKUK.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka folur për gjendjen e të plagosurit. Ai ka thënë se i njëjti është sjellë në QKUK me plagë nga arma e zjarrit dhe pas ekzaminimit është transferuar për në Kirurgjinë Abdominale për trajtim të mëtutjeshëm.
“Pacienti është pranuar rreth orës 08:30, i cili është sjellë nga Policia e Kosovës me plagë nga arma e zjarrit. Deri më tani janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Pas ekzaminimit klienti është transferu në Klinikën e Kirurgjisë abdominale për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla.
Një numër policësh po e ruajnë të dyshuarin e vrasjes së djeshme të vëllezërve në Gollubovc të Malishevës, në QKUK ku po trajtohet pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit.
Dy vëllezërit mbetën të vdekur para dyerve të shtëpisë dje në Golluboc të Malishevës.
Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.
Në të dalë nga shtëpia, jashtë dyerve të oborrit ka nisur konflikti mes dhëndrit dhe vëllezërve, ndaj të cilëve shtiu me armë dhe i la të vdekur.
I dyshuari edhe më parë kishte pas aktakuzë për dhunë në familje. Atij ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.







