PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI
Kuvendi i Kosovës ka hapur sot dyert për pritje të mysafirëve nga diaspora. Bashkatdhetarët patën mundësi t’i vizitojnë hapësirat e këtij institucioni e të takohen me deputetë, të cilëve ua shpalosën shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Për Besart Demakën është hera e parë që Kuvendin e Kosovës po e sheh nga afër. Meqë erdhi nga Suedia, vendosi të ulet në karrigen e kryeministrit, për ta parë më mirë gjithë sallën e seancave.
Por me të hyrë brenda sallës, ai thotë se iu kujtua përleshja e deputetëve që ndodhi një javë më parë, për të cilën pati një kritikë.
Ndihem shumë mirë, i kemi problemet por është vendi ynë. Nuk është ajo punë normale me krye politikën ashtu, se pamja shumë e keqe në Suedi. Mediat s’shkruajnë shpesh për Kosovën e kësaj radhe kanë shkrua që janë rreh e kjo nuk është e mirë se na del pamja e keqe.
Kuvendin nga një dimension ndryshe e panë edhe mërgimtarë nga Gjermania e Zvicra.
Është shumë kënaqësi me ardhë në Kosovë, bile para se me ardhë thoja që ky kuvend është Vlora e dytë, gurthemeli i shtetit është këtu.
Emocion shumë i madh se një institucion si ky s’e kemi vizitua kurrë, në kohën e ish-Jugosllavisë nuk kemi guxua as me u afrua te dera se na rrahshin.
Ata i priti deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se këto takime janë shumë të rëndësishme për të.
Mërgata jonë vjen çdo vit këtu, për të shfaqë brengat e shqetësimet që ata kanë, por më shumë për t’u lidhur me shtetin e tyre. Kemi diskutuar gjatë që të kemi edhe zërin e tyre këtu në Kuvend, me i shpreh shqetësimin, e më herët e kemi pas edhe një ministri të diasporës, por me nuk funksionon. Kjo nuk e zbeh assesi nevojën tonë për këta njerëz, të cilit janë aty për sa herë që ka nevojë Kosova.
Mërgimtarët do të kenë mundësi që edhe nesër nga ora 8 deri në 16:00 të takohen me deputetë e ta shohin nga afër Kuvendin e Kosovës.