Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur gatishmëri që të pres në takim përsëri kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë serb, Petar Petkoviq për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. Herën e fundit, nuk pati rezultate takimi mes tyre ndërsa afati kalimtar për dinarin tashmë ka kaluar.
I dërguar BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm që të pres në takim kryenegociatorët për punën e dinarit.
Ai ka thënë kushti kryesor për këtë takim është që palët të tregojnë gatishmëri për të arritur marrëveshje.
“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”.
“Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje.” – ka shkruar Lajçak.