Tërheqja e bandave nga veriu fillimisht, pastaj ulja e numrit të policisë dhe paralelisht avancimi i marrëveshjes së Brukselit sipas kryeministrit Albin Kurti, janë veprimet që mund t’i ulin tensionet në Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok.
Këtë rrugëdalje për krizën në veri, kryeministri Albin Kurti e propozoi gjatë fjalimit në konferencën për sigurinë globale, Globsec që po mbahet në Bratislavë.
“Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe zgjidhja nuk do të duhej të ishte rrugë me kthesa por hekurudhë me dy binarë. E para për të dalë nga kriza në veri që nënkupton sundim të ligjit, bandat kriminale ose të kthehen në Serbi ose në burg në Kosovë pastaj ulje të pranisë së policisë para objekteve të komunave dhe normalizim të situatës. E dyta zbatim i shpejtë, i plotë, pa shtyrje dhe i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti.
Megjithatë, kryeministri Kurti nuk do t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale për të shmangur krijimin e strukturave paralele në atë pjesë.
“Po t’i urdhëroja kështu, do të ishte sikur po nxis krijimin e strukturave paralele për struktura paralele. Pra të kopjoj metodat e tyre. Do t’u bashkohesha ilegalitetit të tyre. S’mund ta bëj këtë. Demokracia është që ligji të jetë mbi politikën”, tha Kurti.
Teksa tregoi për takimin që pati me përfaqësuesit e BE-së në Bratislavë të mërkurën, kryeministri Albin Kurti theksoi se është gati t’i dëgjojë serbet nëse protestat janë paqësore.
“Kam diskutuar me Borellin dhe Lajcak duke u thënë se nëse do të ishin protesta paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme do të kuptoja, por jo banda me shkronjën Z, që sulmojnë KFOR-in e policinë dhe të cilët bërtasin vrisni-vrisni. Para këtyre bandave unë nuk e dorëzoj republikën demokratike, por të ishin prapë protesta paqësore atëherë kanë një kryeministër që gjithë jetën e tij ishte aktivist politik dhe është më së i gatshëm t’i dëgjoj e ndoshta edhe të pajtohem me ta”, tha Kurti.
Kryeministri, Albin Kurti ka treguar gatishmëri për takim më presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, derisa një takim brenda kësaj jave me dy liderët e presin edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: