Kryeministri Albin Kurti tha se Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror i shtetit, nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë. Për të njëjtin u shpreh se nuk është vullneti i presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Prokurorinë e Shtetit ekziston disponim negativ ndaj qeverisjes së tij. Teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ai shtoi se prokuroria është e zellshme të merret me udhëheqjen e re të bordeve.
Gjatë seancës plenare, kryeministri Kurti ka deklaruar se emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është vet Blerim Isufaj.
“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë. Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe të kryeministrit të qeverisë”, ka thënë ai.
Më tej, Kurti ka shtuar se vendi më i lakmuar në Kosovë është pozita e kryeprokurorit të shtetit.
“Është siklet i madh dhe mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetëror, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror. Me ministrin Murati e bëjmë alokimin e buxhetit, por vendi më i lakmuar në Republikën tonë del të jetë pozita që bën alokimin e rasteve, e kjo është kryeprokurori i shtetit. Drejtësia, sistemi gjyqësor në Kosovë lëngon, pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë nuk donë, nganjëherë nuk dinë, e shpesh edhe të dyja ”, ka shtuar ai.
Shefi i ekzekutivit tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që ka gjetur aty, por prokuroria nuk është marrë me to.
“Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimit e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por, zelli i prokurorisë për tu marrur me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, ka deklaruar Kurti.
Teksa u shpreh se opozita është gëzuar për arrestimin e Krasniqit, kryeministri Kurti shtoi se ‘dënim me vdekje nuk ka në Kosovë’.
“Nagip Krasniqi është në burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka. Dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg me sistem prokurorial, i cili nga viti në vit është gjykuar në raportet ndërkombëtare”, shprehet ai.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti shtoi se edhe pas katër vitesh, prej kur mundësohet gjykimi në mungesë, rezultatet janë të pakta.
Kurti: Rezultatet janë më pak se të pakta për gjykimin në mungesë
(Video)
“Me 30 maj, në lexim të dytë e votuam plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në mënyrë që krimenelët serbë që kanë kryer krime gjatë luftës, t’i gjykojmë e t’i dënojmë në mungesë. Me 30 maj sivjet, bëhen katër vjet. Rezultatet janë më pak se të pakta”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti shtoi se Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë ka dërguar fakte e dëshmi për shkeljet e panumërta që janë bërë në veri të Kosovës.
“Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë pa numër dëshmi, pa numër fakte, i ka dërguar prokurorisë gjatë muajit dhjetor dhe janar, për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. asnjë aktakuzë, Si është e mundur që Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë i dërgon aq shumë fakte prokurorisë tonë dhe ajo nuk vepron kundrejt atyre të cilët në mënyrë krimininale, me uniforma të zeza, në lidhje me vagnerin rus të dirigjuar nga Beogradi, i vendosën barrikadat, ndërkohë që prapra tyre ishin të armatosur. Asnjë aktakuzë”, shprehet ai.
Ai ka përsëritur se me 14 shkurt ka ndodhur ndryshimi i madh për drejtësi dhe punësim, por për të parën u shpreh se nevojitet vettingu. /KP