Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sørensen.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti ka theksuar rëndësinë e legjitimitetit të ri demokratik që kanë sjellë votimet.
“Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryeministri Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.
Ai shtoi se ky legjitimitet i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog, duke vënë në dukje se “sa i përket palës tjetër në dialog, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi.”
Mes tjerash, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për një dialog konstruktiv në Bruksel.
Ai theksoi edhe “rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”.






