Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovë për vitin 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka listuar 10 arritjet kryesore të ekzekutivit për këtë vit.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, njohja e pasaportës së Kosovës prej dy shteteve mosnjohëse si Spanja dhe Armenia, u konsideruan si sukseset e para të Qeverisë së Kosovës për vitin 2024.
Kryeministri Albin Kurti tha se edhe regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore të vendit ndodhi këtë vit për herë të parë që nga paslufta.
“Së pari liberalizimi i vizave nga BE, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës nga dy shtete mos njohëse Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë. Ajo sot renditet më lartë se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Dy këtë vit filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në 4 komunat tona në veri për herë të parë pas më shumë se 2 dekadave. Gjatë këtij viti gjithashtu ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë shoferëve ilegal në ata të Kosovës, janë regjistruar mbi 6 mijë e 300 konvertime shumica prej tyre nga qytetarët në katër komuna në veri të vendit, duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë për integrim e cila nuk ka munguar asnjëherë nga qytetarët, por është penguar në vazhdimësi nga struktura ilegale dhe Beogradi zyrtar. Shumë prej këtyre strukturave ilegale janë mbyllur sepse janë të jashtëligjshme”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se viti 2024 paraqet themelet e forta për siguri energjetike dhe të ndërtimit të kapaciteteve të reja.
Inaugurimi i bursës ALPEX nga Kurti është konsideruar si një arritje tjetër e madhe për pavarësinë energjetike që ndodhi në Kosovë përgjatë këtij viti.
“E kemi përmbyll me sukses ankandin e parë diellor në histori të Republikës me kapacitete të reja prej 100 MW, të cilin e fitoi konzorciumi nga mërgata jonë në Zvicër ‘Orrlati’ dhe këtë muaj kemi hapur ankandin e dytë për energji të ripërtritshme, të parin me energji të erës me kapacitet gjithashtu 100 MW. Sivjet gjithashtu ka hyrë në fuqi programi Kompakt i Sfidës së Mijëvjeçarit që përfshinë një investim prej 236, 7 milionë dollarësh për energji”, thotë ai.
Si sukses të punës së tyre për vitin 2024, kryeministri, Albin Kurti e renditi edhe rritjen e pensioneve dhe shtesave të fëmijëve.
Derisa u shpreh se për herë të parë pas 13 vitesh në vitin 2024 paga minimale është rritur dhe dyfishuar.
“Pensionet janë rritur për 20%, pensionet e moshës përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara tashmë veçse i marrin pensionet me rritje, kurse nga muaji i ardhshëm fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta. Përveç rritjes së rregullt të gjithë pensionistët tanë sikurse vitin e kaluar e për të 54 herë me radhë gjatë mandatit tonë këtë muaj do ta marrin shtesën e njëhershme prej 100 euro. I kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë….Pas 13 viteve kemi pagë të re minimale e cila është më shumë se dy fish me lartë“. Fal performancës së mirë ekonomike këtë vit do të kemi përsëri rritje të pagave në sektorin publik, theksoi ai.
Sukses për vitin 2024 nga shefi i qeverisë kosovare u konsideruar edhe nënshkrimi i kontratës për funksionalizimin e fabrikës së municioneve, e cila ndodhi gjatë këtij muaji.
“Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve, bëmë edhe një hap në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideroi sukses për vitin 2024 edhe krijimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, si dhe regjistrimin e popullsisë, proces ky i ndodhur në përgjatë muajve prill-maj të po këtij viti.
Sipas shefi të ekzekutivit kosovar edhe rinovimet dhe investimet e bëra në shëndetësi, shërbimet shëndetësore përgjatë këtij viti janë rritur por edhe janë bërë më të lira.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç dhe kategoritë e pensionistëve. /kp