Është shënuar 27-vjetori i masakrimit të 106 qytetarëve në Pastasel të Komunës së Rahovecit. Në përkujtimin e viktimave të një nga krimet më të rënda të luftës së Kosovës ishte edhe kryeministri, Albin Kurti.
Ai tha se 106 civilët në Pastasel u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. “Ata që na vranë menuan se do të na zhdukin, por ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm”, tha Kurti.
Kurti tha se ky ishte krim i paramenduar.
Ai u shpreh se është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza.
“Në dhjetorin e kaluar është dorëzuar kallëzim penal për këtë masakër, një hap i domosdoshëm drejt drejtësisë. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto krime të shndërrohen në aktakuza.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”, tha Kurti.






