Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në Ditën e Biznesit Francez, tha se Kosova është gati për partneritete të mëdha infrastrukturore dhe e hapur për investime serioze.
Në fjalën e tij, ai paraqiti Kosovën si një shtet të pavarur, të konsoliduar dhe me orientim të qartë evropian, duke përmendur stabilitetin institucional, të cilën bizneset e kërkojnë për sigurinë, parashikueshmërinë dhe disiplinën fiskale që ai ofron.
“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Kosova është e hapur për investime serioze. Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar me orientim të qartë evropian dhe tashmë kemi edhe stabilitet institucional, i cili dëshirohet aq shumë nga bizneset, meqenëse ofron siguri publike, parashikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale. Kemi punuar për të forcuar sundimin e ligjit, për të eliminuar praktikat informale dhe për të krijuar një terren të barabartë sepse konkurrenca duhet të jetë e drejtë për ata që inovojnë dhe investojnë, dhe ne besojmë që ligji na bën bashkë si qytetarët e së njëjtës shoqëri, dhe ndëshkimet i ndajnë ne ata që janë të papërgjegjshëm prej atyre që bëhen të pambrojtur”, tha Kurti.
Për të mbështetur këtë qasje, ai theksoi kornizën tatimore të thjeshtë dhe konkurruese të Kosovës.
“Dhe këtë qasje tonë ne e kemi mbështetur me një kornizë tatimore e cila është edhe e thjeshtë edhe konkurruese, tatimi mbi fitimet e korporatave 10%, tatimi mbi dividentët është zero, tatimi mbi pagat është progresiv por deri në 10%, nuk ka dogana për makineri prodhuese, dhe eksportet nuk tatohen. Këto nuk janë vetëm përparësi teorike, janë edhe vendime praktike të cilat e shpërblejnë produktivitetin, punësimin formal dhe investimin në kapacitete moderne. Për nevojat tuaja nga Franca, nëse jeni këtu për infrastrukturë, jeni në vendin e duhur”, deklaroi Kurti.






