​Kurti: Kam dëgjuar se Jabllanoviq ka fituar 1 milion euro për tërheqje nga gara zgjedhore

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka dëgjuar që Aleksander Jabllanoviq kishte fituar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd, për tërheqje nga gara zgjedhore në veri. Ai u është drejtuar qytetarëve nga komuniteti serb në Kosovë duke u thënë se zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore janë të nevojshme, por me një fushatë të lirë parazgjedhore.

Kurti ka thënë se për të realizuar këtë, nevojitet sundimi i ligjit dhe një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë.

Në adresimin e bërë në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës ka thënë se “me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviqi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”, ka thënë ai.

Kurti ka përmendur edhe pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore.

Ai ka thënë se ka dëgjuar që Aleksander Jabllanoviq ishte tërhequr nga gara zgjedhore pasi kishte fituar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd.

“Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se takimet në Bruksel janë të nevojshme, siç ka theksuar ai, për zbatimin urgjent dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë.

“Në anën tjetër, na janë të nevojshme takimet në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Kurti edhe njëherë ka theksuar se sulmet në veri nuk do të tolerohen.

“Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur mbylljen e 16 rrugëve ilegale në veri, shkatërrimin e 83 grupeve kriminale, konfiskimin e 2 ton narkotikë dhe shkatërrimin e 14 laboratorëve të drogës.

Në këtë adresim, Kurti ka thënë se Qeveria ka bërë shumë për komunitetin serb, duke përmendur këtu restaurimin e pjesëve të trashëgimisë ortodokse në Kosovë si dhe të shtëpive tradicionale në Prizren që kanë pronarë serbë.

“E kam theksuar shumë herë se ky shtet është i yni i përbashkët – ai që na përqafon dhe na mbron dhe për të mirën e të cilit jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për shkak të asaj që duam për veten dhe familjet tona. Vendi ku banojmë është shtëpia jonë, e shteti ynë shtëpia e të gjithë neve”, ka përfunduar ai./KosovaPress

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA