Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha sot se të shtunën ka zhvilluar negociata për konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë së re me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Kurti, në një konferencë për media në objektin e qeverisë të hënën, tha se i ka bërë ofertë konkrete Nismës Socialdemokrate.
“Me kryetarin e Nismës Socialdemokrate kemi zhvilluar një takim, me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, kemi shprehur jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejtë e sa më mirë, mirëpo kur këto bisedime përmbyllen me rezultatin final, atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj”, tha Kurti, duke bërë me dije se janë në pritje të përgjigjes së NISMA-s.