Kryeministri në detyrë po mban konferencë për media në objektin e qeverisë në Prishtinë. Ai foli për kërcënimin ndaj Kosovës nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit në çdo cep të territorit të saj. Sundimi i rendit dhe i ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk njeh, pra nuk diskriminon, sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo çfardo përkatësie tjetër. Secili që shkel rendin dhe ligjin do të përballet me drejtësi
Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar në bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit etnik më 18 korrik, sivjet, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.
“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik, sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandat suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha kryeministri në detyrë, transmeton Paparaci.
Ai tha se Beogradi zyrtar nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e “tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes në rajon”.
“Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi. Por, ka kaluar njëherë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë, dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më”, tha ai.