Kurti bën homazhe në 7-vjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: Ishte personalitet unik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar në detyrë sot në mëngjes bënë homazhe dhe vendosen lule pranë varrit të veprimtarit të shquar, Adem Demaçit, në 7-vjetorin e vdekjes së tij.
“Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët.Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”, tha Kurti.
Adem Demaçi, i njohur për angazhimin e tij të palëkundur për lirinë dhe çështjen kombëtare, vdiq më 26 korrik të vitit 2018. Për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm, u organizuan aktivitete shtetërore, ndërsa vendi shpalli tri ditë zie.
Reklamë










