Prishtina po përjeton reshje të dendura shiu ditën e sotme, por stadiumi “Fadil Vokrri” do të presë ndeshjen vendimtare Kosovë – Zvicër, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me fillim nga ora 20:45.
Autoritetet e stadiumit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë konfirmuar se, megjithë motin e keq, ndeshja pritet të zhvillohet sipas orarit të paracaktuar. Stadiumi është i përgatitur për pritjen e lojtarëve dhe tifozëve, dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për siguri dhe mirëmbajtje.
Sipas rregullave të FIFA dhe UEFA, ndeshjet mund të zhvillohen edhe në kushte reshjesh të dendura, për sa kohë fusha është e sigurt për lojtarët dhe nuk paraqet rrezik për dëmtim. Në rast se kushtet bëhen të papërshtatshme, arbitri kryesor ka të drejtën të ndalojë ose shtyjë ndeshjen pas konsultimit me organizatorët dhe ekipet.
Kosova hyn në këtë sfidë me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën me 13 pikë. Një fitore sonte mund të rrisë ndjeshëm shanset për kualifikim direkt në Kupën e Botës, ndërsa një humbje do të konfirmonte pjesëmarrjen e Kosovës në playoff.
Reshjet e dendura nuk pritet të pengojnë zhvillimin e ndeshjes, por siguria e lojtarëve dhe e tifozëve mbetet prioritet kryesor për organizatorët. /ATVLIVE.TV







