Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha në edhe SHBA, edhe Qeveria e Kosovës janë në pajtueshmëri se situata në veri duhet të qetësohet, mirëpo sipas tij, kjo nuk mund të ndodh derisa ka persona me maska që sulmojnë policinë dhe KFOR-in.
“Duhet që gjithmonë e më shumë të ketë situata kur duhet të jemi, e mund të jemi edhe me Amerikën edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Teksa diskursi aktual synon të përshkruhet në atë mënyrë që në një situatë sikur kjo, ku askush nuk e konteston të drejtën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe legalitetin e tyre, të bëj njëfarë lloj ndarje që, në qoftë se nuk pajtohet Amerika, atëherë unë nuk jam me Qeverinë. Unë mendoj që mund të jemi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, madje edhe në situata kur mund të mos ketë pajtueshmëri të plotë mbi atë se çfarë po ndodh. Ne, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi pajtueshmëri që situata duhet të qetësohet, por ajo nuk qetësohet për aq kohë sa kemi persona me maska që sulmojnë policinë dhe KFOR-in”, tha Kryeziu.
Ai tha se në krahasim me ato të ditës së hënë, të martën, pos sulmeve ndaj gazetarëve që kanë pasur synim të pengohet raportimi ashtu që mos të paraqitet e vërteta, nuk ka pasur dhunë nga ana e protestuesve.
“Kjo është dëshmi që për aq kohë sa nuk ka banda kriminale e grupe ekstremistësh atje. Nuk ka probleme, kur ato shpërfaqen dhe ndërmarrin veprime, ka probleme dhe ai problem është problem i përbashkët, edhe i Policisë së Kosovës edhe i KFOR’it, i cili megjithatë ka një mandat për të siguruar qetësinë, paqen e sigurinë në territorin e Kosovës”, tha Kryeziu. /atvlive.tv
Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: