Kryeshefi i ri i “Trepçës”: Do të angazhohem për realizimin e kërkesave

Përgatiti: Armand Hoti

Enis Abdurrahmani, në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes “Trepça”, vazhdon të figurojë si ushtrues detyre i kryeshefit. Por, kjo pozitë që nga java e kaluar nuk i takon më atij.

Konkursi për pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes, rezultoi me emërimin e Bashkim Kurtit, kryeshef të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.

“Pikat e forta, për mua është shumë esencial preciziteti, menaxhimi i kohës, dakordimet paraprake për mua janë shumë të rëndësishme dhe kam monitorim tejet të rreptë ndaj tyre. Goxha detajist, kërkues po në anën tjetër edhe motivues edhe përkrahës”, tha Kurti.

I biri i minatorit që vdiq në horizontin e dhjetë të minierës së Stan Tërgut gjatë viteve të ‘80-ta, e ka të qartë se në çfarë momentumi po e merr udhëheqjen e “Trepçës”.

“Nuk ka mundësi të bazohemi në ndihma nga Qeveria as askush, kur “Trepça” ka mundësi ta menaxhojë veten pa ndihmë të askujt. A kemi nevojë për ndihmë në drejtim të investimeve kapitale, besoj se po. Së paku referuar raporteve zyrtare, të publikuara, qoftë raporti i auditorit apo plani i biznesit i kompanisë, gjendja është goxha alarmante, goxha shqetësuese. Por, besoj se me punë dhe angazhim gjithë këto do të tejkalohen”, tha Kurti.

Ai thotë se do të angazhohet në realizimin e kërkesave të të gjithë punëtorëve të “Trepçës”.

“Pika kyçe realisht është siguria e stafit. Kjo është pika kyçe. A do të punojmë seriozisht në këtë çështje? Me siguri se po. A është e lehtë të realizohet? Nuk e besoj! Por a është e mundshme? Gjithsesi se po. Sidomos ata në zgafelle do trajtohen me prioritet”, tha Kurti.

I zgjedhuri si kryeshef në ndërmarrjen “Trepça”, ka një kontratë me kohëzgjatje prej tri vjetësh.

Enis Abdurrahmani, ish-kryeshefi i padëshiruar për minatorët sindikalist, në shtator të vitit 2023 u shkarkua nga bordi paraprak i ndërmarrjes.

Më pas Qeveria e Kosovës e shkarkoi atë bord, duke emëruar një Bord të ri, që ktheu përsëri Abdurrahmanin në detyrë.

Nga viti 2019 deri në atë 2023, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 30 milionë euro subvencione për ndërmarrjen. Me pjesën më të madhe të mjeteve financiare janë mbuluar shpenzimet operative të ndërmarrjes.

ATV-ja ka raportuar se “Trepça”, me Enis Abdurrahmanin në krye, deri në tetor të vitit të kaluar nuk kishte arritur të realizojë as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA