Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka lëshuar një njoftim për konsumatorët, duke u bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj ujëmatësve dhe tubacioneve të ujit me fillimin e sezonit Vjeshtë/Dimër.
Sipas kompanisë, tubacionet dhe ujëmatësit që janë të ekspozuar ndaj temperaturave të ulëta kanë rrezik të ngrirjes, sidomos ata të vendosur në mure të paizoluar, garazhe, bodrume ose nën sipërfaqe të tokës.
KRU “Hidrodrini” u rekomandon qytetarëve të bëjnë izolimin e ujëmatësve dhe tubave, si brenda pronës ashtu edhe në pusetat ku janë të vendosur matësit kryesorë.
Vendosja e materialeve që pengojnë depërtimin e ajrit të ftohtë dhe shtimi i izolimit në muret e jashtme ndihmon në parandalimin e dëmtimeve.
“Ju jeni përgjegjës për mbrojtjen e ujëmatësve dhe tubacioneve në pronën tuaj. Kujdesi paraprak mund të shmangë ndërprerje të furnizimit dhe dëmtime të mëdha,” njoftoi Zyra për Media e KRU “Hidrodrini”.







