D+ kërkon anulimin e tenderit 253 mijë euro për angazhimin e 12 konsulentëve në MMPH, përmes kontratave mbi vepër

Demokraci Plus (D+) kërkon nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e tenderit në vlerë prej 253,440 eurosh, i cili parasheh angazhimin e 12 konsulentëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura ndryshe si “kontrata mbi vepër”.
Sipas dosjes së tenderit me numër 210-26-10149-2-1-1, konsulentët parashihen të angazhohen për 24 muaj, ndërsa për disa pozita kërkohet edhe orar i plotë pune prej 40 orësh në javë.
Reklamë
“Detyrat e tyre përfshijnë ofrimin e këshillave juridike, hartimin e shkresave zyrtare dhe trajtimin e ankesave, hartimin dhe monitorimin e politikave për menaxhimin e mbeturinave, mbledhjen e të dhënave dhe përgatitjen e dokumenteve për menaxhimin e ujërave, pjesëmarrjen në inspektimet mjedisore e ndërtimore, si dhe përgatitjen e materialeve për publikim.
Natyra e këtyre punëve, së bashku me kohëzgjatjen dhe mënyrën e angazhimit, tregon se bëhet fjalë për nevoja të vazhdueshme të institucionit dhe jo për shërbime të veçanta profesionale që kërkojnë kontraktim përmes MShV-ve. Për më tepër, këto detyra mbivendosen me funksionet e pozitave të rregullta të parapara në strukturën ekzistuese të Ministrisë”, thotw D+.
Neni 57 i Rregullores për Prokurimin Publik përcakton kushtet për angazhimin e konsulentëve përmes MShV-ve, për shërbime profesionale specifike dhe afatshkurtëra që nuk mund të sigurohen përmes stafit ekzistues ose procedurave të rregullta të rekrutimit.
Duke pasur parasysh këto, D+ i bën thirrje MMPH-së ta anulojë këtë procedurë të prokurimit. Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta nuk duhet të përdoren si zëvendësim i rekrutimit të rregullt të personelit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Reklamë








