Kalo te përmbajtja
Të fundit

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën e hapur edhe për partnerët

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën e hapur edhe për partnerët

Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.

Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars.

Reklamë

Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.

“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.

Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.

Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.

“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.

Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.

Reklamë

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën e hapur edhe për partnerët | ATV