Kritikat për ndeshjen Rumani-Kosovë, Ademi ka një përgjigje për Lorik Canën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është kthyer të flas edhe njëherë për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës e cila u ndërpre në minutat shtesë të saj për shkak të fyerjeve dhe ofendimeve që tifozët vendas i bënë kundër futbollistëve të Kosovës.

Vendimi për ta lënë ndeshjen pak para përfundimit të saj u kritikua nga shumë njohës të futbollit por edhe ish-futbollist, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana. Ky i fundit në një intervistë për KosovaPress kishte ngritur dyshime nëse futbollistët e Kosovës do ta braktisnin ndeshjen po të ishin duke fituar në ato momente.

Duke iu përgjigjur Canës, i pari i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se pa qenë brenda fushës dhe pa u përballur me presionin që është bërë ndaj lojtarëve gjatë asaj ndeshje, askush nuk mund të jap vlerësimin e drejtë.

“Pa qenë brenda në fushë është e vështirë të vlerësosh, është e lehtë të flasësh nga studiot por 90 minuta në tensione të tilla, madje edhe më herët, para ndeshjes…Por ai ka qenë momenti i fundit, kulmi ka qenë aty sepse ka pasur tensione të vazhdueshme edhe me grupe, pra e kanë ndryshuar taktikën kësaj radhe, kanë qenë grupe të caktuara nga katër apo pesë veta nëpër pjesë të ndryshme, ka qenë tensioni edhe i lojtarëve brenda. Pikërisht ai lojtari i cili është inkuadruar dhe ka ndodhur incidenti në fund me të, ai është futur pak minuta para incidentit dhe ai ka hyrë me një detyrë. Ne i kemi mbështetur futbollistët që kanë dal dhe jemi bashkë në çfarëdo që të ndodh.”, ka thënë Ademi.

Duke folur për KosovaPress, Ademi ka komentuar edhe çështjen e diskutuar në muajin tetor që kishte të bënte me ndalimin e performimit të këngës “Mora fjalë” nga këngëtarja Shkurte Fejza në stadiumin “Air Albania” në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Këngëtarja kosovare dy javë më parë e këndoi këtë këngë në ceremoninë e “Laureatëve 2024” të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, por Ademi thotë se kjo nuk ishte ndonjë kundërpërgjigje ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Në federatë të futbollit vendimet i marr unë, në federatën shqiptare vendimet i merr Armand Duka dhe ai vendosë për objektivat që i ka me federatën e tij. Shkurta nuk është kurrfarë kundërpërgjigje, Shkurta është e Kosovës, është ikonë kombëtare dhe ajo e tha edhe vet që iu falënderoj shumë që çdoherë si himn ka qenë ajo këngë e Shkurtës në terrenet tona pavarësisht që ajo që ka ndodhur kur ka shkuar në Shqipëri, Shkurta është edhe e Kosovës edhe e Shqipërisë, është figurë kombëtare dhe ajo faktikisht ka shkuar të iu këndojë shqip edhe në stadiumet e Tiranës dhe gjetiu, por Shkurta e dimë prej nga është dhe nga ku ka dal. Asgjë nuk lidhet me atë punë, ishte dëshira jonë se kë donim ta merrnim, njëherë e marrim Shkurten, njëherë një këngëtar tjetër sepse ai nuk është koncert, ajo është ngjarje për fundvit dhe për ‘Laureatët’ por gjithsesi e thejmë pak me një muzikë, këtë rast me Shkurten, një ditë me Ilir Shaqirin, një ditë tjetër me ndonjë muzikant tjetër e kështu me radhë. Lidhje të tilla nuk më pëlqejnë sepse nuk bëjmë ne kështu, nuk bëjmë inate e as nuk jam tip që bëjë pas shpine apo nën tavolina.”, ka thënë Ademi.

Ndryshe, marrëdhëniet ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së nuk janë në pikën më të mirë të tyre, sidomos pasi kjo e fundit ka paraqitur kandidaturën e përbashkët me federatën serbe të futbollit për organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit për grupmoshat U21 në vitin 2027.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA