Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve, ta përmbyllë ditën e sotme, më 30 janar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe 143 vendvotime për t’u rinumëruar.
Ai ka thënë se këto vendvotime u takojnë komunave, Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë.
“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky process, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, ka thënë Elezi për Reporteri.net.
Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.






