KQZ-ja tregon se kur mund të votohet në ambasada dhe konsullata

Mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Më këtë numër janë shprehur të kënaqura të gjitha partitë politike, ndonëse VV-ja ka kërkuar që afati i regjistrimit të zgjatet për disa ditë, por propozimi nuk është përkrahur.

Zyrtarët e partive politike kanë falënderuar diasporën për regjistrim, duke u zotuar se do të marrin parasysh kërkesat e tyre.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se kjo tregon që bashkatdhetarët janë të lidhur me Kosovës.

“Faleminderit mbi 100 mijë bashkatdhetarëve që janë regjistruar për të votuar më 9 shkurt. Pavarësisht se ku jetojnë, bashkatdhetarët mbesin thellësisht të lidhur me të ardhmen e vendit tonë. Së bashku do ta bëjmë Kosovën ma të mirë. #MaMirë për diasporën. #MaMirë për Kosovën”, ka shkruar Hamz anë profilin e tij në “Facebook”

Edhe kandidati i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka falënderuar diasporën që i është përgjigjur pozitivisht thirrjeve për regjistrim.

Ai pretendon se mbi 40 mijë përkrahës të LDK-së janë regjistruar në këtë proces.

“40 mijë falenderime për Mërgatën! Fitorja e parë elektorale po merr formë sonte! Është e bukur, është freskuese, është vetë ndryshimi i kërkuar tash e sa kohë. Plot 105,000 të regjistruar, nga të gjitha etnitë; tani që kanë mbetur vetëm edhe një orë e gjysmë. Ju faleminderit secilit për angazhimin e treguar qytetar në këtë proces demokratik. Të 40 mijë mbështetësve tanë, ndërsa, të regjistruar deri në këto orë, ju faleminderit nga zemra që po shënoni hapin e parë në fitoren e parë elektorale! Fjalët më mbesin të mangëta për t’iu shprehur gjithë mirënjohjen tonë për ringritjen e djathtë tuajën. Por sonte, LDK ka festë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, zyrtarët e VV-së kanë pretenduar se shumica e votuesve të diasporës janë vota të VV-së.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka kritikuar partitë opozitare se në mënyrë të qëllimshme nuk e kanë përkrahur zgjatjen e afatit për regjistrimin e diasporës.

“Meqenëse dy kandidatët, Lumiri e Mërgimi mbrëmë ishin falenderues me target specifik ndaj mërgatës, përkatësisht 40 mijë falenderime njëri dhe 100 mijë tjetri, atëherë neve nuk na mbetet tjetër veçse të jemi falenderues ndaj këtyre dyve për falenderimet e tyre ndaj votuesve tanë. Po ashtu, nuk do të ishte keq që t’i trimëroni e inkurajoni pak anëtarët tuaj në KQZ të vijnë në mbledhje e mos të ikin nga votimi”, ka shkruar Manxhuka.

KQZ-ja tregon afatet e votimit për diasporën

Pas mbylljes së procesit të regjistrimit për mërgatën, KQZ-ja ka treguar kohën se kur diaspora mund të votojë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për gazetën se votimi në ambasadat dhe konsullata do të organizohet më 8 shkurt, një ditë para mbajtjes se zgjedhjeve.

“Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, ka thënë Elezi.

Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme mundëson që për herë të parë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë në ambasada dhe konsullata.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA