Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e Listës së Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, raporton EO.
Sipas kësaj liste votuesish, numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.
Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani ka thënë se numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është 1 milionë e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.
“Lista përfundimtare e votuesve i është nënshtruar edhe verifikimit. Ky numër i votuesve që është prej 2 milionë e 75 mijë e 868 votuesve si listë përfundimtare. Nuk është një listë tërësisht e pastër, për faktin që figurojnë ende personat e vdekur në këto lista, për shkak se qytetarët nuk ia kanë njoftuar organet kompetente. Ndryshe nga çdo palë zgjedhje tjetër që është mbajtur më parë, në këto zgjedhje lista e votuesve është krijuar me dy data baza. Me atë të gjendjes civile dhe departamentit të dokumentit të prodhimit. Prandaj, nga kjo listë nuk mbetet askush jashtë, ndryshe se çka ka mundur të ndodhë në raste të caktuara. Ndërsa numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovë është 104 mijë e 924 votues, prej të cilëve 84 mijë e 525 kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 399 votues kanë zgjedhur mënyrën e voitmit fizik në përfaqësi diplomatike. Në dallim prej zgjedheve të fundit lokale të 17 dhjetorit është 174 mijë e 888 votues më shumë”, ka thënë ai.
Po ashtu në këtë mbledhje u miratua rekomandimi për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime, i cili u vendos qe për vendvotime në zonat rurale numri i votuesve të jetë 999 votues.
Ndërsa në zonat urbane u vendos që numri i votuesve në vendvotime të jetë 950 votues.
“Numri të jetë 999 votues për vendvotime në zonat rurale. Për zonat urban 950 ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e më parshme, ky është rekomandimi”, ka thënë Elshani.
KQZ në këtë mbledhje mori vendim po ashtu që në Tiranë dhe Podgoricë të mos mbahet votim fizik në këto përfaqësi diplomatike, kjo për shkak se në disa përfaqësi diplomatike numri i shtetasve të regjistruar për votim fizik është shumë i vogël, nën 50 votues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që procesi i votimit të mos organizohet në përfaqësitë diplomatike të vendosura në Podgoricë (Mali i Zi) dhe Tiranë (Shqipëri).
Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar në përfaqësinë diplomatike në Podgoricë janë regjistruar vetëm 8 votues dhe po aq edhe në Tiranë.
Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani, tha se gjithë votuesit e regjistruar, KQZ do t’i informojë se të njëjtit do të mund të votojnë përmes postës.
“Ka disa shtet që kanë një numër më të vogël 50 votues. Ne kemi konsideruar që dy prej tyre në Podgoricë dhe Tiranë të mos hapen për votim, në këtë rast 8 persona që janë regjistrua, këtyre votues të ju mundësohet votimi përmes postës”, ka thënë Elshani.
Më 29 gusht 2024, KQZ ka miratuar listën prej 35 Qendrave të Votimit me gjithsej 47 vendvotime të planifikuara për votim në 19 Ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme.
Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës.