Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon me intensitet të shtuar dhe se deri më tani janë procesuar mbi 74 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.
Në një konferencë për media, Elezi tha se aktivitetet e numërimit janë përmbyllur tashmë në 27 komuna.
“Njoftojmë se deri më sot, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, përkatësisht në Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik”, tha Elezi.
Ai sqaroi se procesi i numërimit do të vazhdojë pas një ndërprerjeje të përkohshme, duke bërë të ditur se rifillimi do të ndodhë më 1 janar 2026, nga ora 16:00, në 11 Qendra Komunale të Numërimit.
“Procesi i numërimit do të vazhdojë të martën, më 1 janar 2026, në orën 16:00, në QKN-të e komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë”, deklaroi Elezi.
Sipas tij, deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në orën 12:00, janë procesuar mbi 1,900 vendvotime nga gjithsej 2,557.
“Deri më tani, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 1,900 nga 2,557 vendvotime, apo më shumë se 74 për qind. Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat transmetohen në platformën e KQZ-së për rezultate”, u shpreh ai.
Elezi njoftoi se sot në mesditë procesi i numërimit do të ndërpritet përkohësisht, pas përfundimit të procedimit të kutive të hapura.
“Sot në mesditë, sapo të përfundojë procedimi i kutive që janë të hapura, do të ndërpresim procesin e numërimit të fletëvotimeve dhe do të rikthehemi sërish më 1 janar në orën 16:00”, tha zëdhënësi i KQZ-së.
Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Elezi bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.
“Nga votimi me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve kanë ushtruar të drejtën e votës”, theksoi ai.
Sipas Elezit, deri më tani nga kutitë postare janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
“Pas vlerësimit dhe verifikimit, nga më shumë se 28 mijë pako të pranuara, janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950 pako. Arsyeja më e shprehur për refuzim është se në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, deklaroi ai.
Në fund, Elezi njoftoi se numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës do të nisë gjatë kësaj jave, ndërsa data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura përmes një njoftimi zyrtar nga KQZ-ja.






