Më 29 gusht u publikua lista e lojtarëve që do të përfaqësojnë Kosovën në dy ndeshjet e shtatorit, kundër Zvicrës dhe Suedisë, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.
25 futbollistë ishin të ftuar, e ndër ta edhe dy të rinjtë: Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha.
Gjatë ditës së djeshme ata arritën në Kosovë, ndërsa sot dyshja e re dardane kanë thënë në një video të publikuar nga FFK se janë krenar që përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës:
“Unë jam Leon Avdullahu, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Zemra më ka thënë me përfaqësu vendin tim, Kosovën. Për vendin tim, zemrën në fushë e lë. Forca Kosova”, thotë në këtë video të shkurtër futbollisti i Hoffenheimit, i cili hoqi dorë nga mundësia për ta përfaqësuar Zvicrën vetëm për t’i mbrojtur ngjyrat e vendit të prindërve të tij, ndonëse u lind e u rrit në shtetin Helvetik.
“Unë jam Veldin Hoxha, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Është një nder ta përfaqësoj vendin tim, Kosovën. Forca Kosova”, tha lojtari i Rubin Kazanit, i cili e shprehu nderin për ta përfaqësuar Kosovën.
Kombëtarja u grumbullua dje në qendrën nacionale në Hajvali, ku patën mundësi të zhvillonin edhe stërvitjen e parë.
Të premten Kosova do të luajë me Zvicrën në udhëtim, kurse të hënën tjetër do t’i bëjnë konak Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /ATVLIVE.TV