Përfaqësuesja e Kosovës U20 ka shënuar fitore të thellë ndaj Katarit U20, me rezultat 5:1, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Takimi u organizua në kuadër të programit “UEFA Together”, që ka për qëllim zhvillimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet kombëtareve të vendeve anëtare të UEFA-s dhe atyre nga kontinentet e tjera.
Dardanët e rinj, të drejtuar nga përzgjedhësi Bekim Isufi, e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke dominuar në çdo aspekt të lojës. Epërsia erdhi shumë herët, në minutën e 3-të, kur Ernis Qestaj realizoi golin e parë pas një aksioni të ndërtuar bukur. Në minutën e 27-të, Rin Ahmeti e dyfishoi rezultatin nga penalltia, pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj Rezon Gashit në zonë.
Vetëm dy minuta më vonë, Qestaj shënoi sërish, duke e çuar rezultatin në 3:0.
Katari arriti të ngushtojë diferencën në minutën e 38-të me golin e Mohamed Moatasim A Elsiddig nga pika e bardhë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, pas disa ndërrimeve taktike, Kosova menaxhoi me qetësi lojën dhe mbajti kontrollin e ndeshjes. Në minutat shtesë, Dardanët shënuan edhe dy herë për ta vulosur fitoren: Enes Hajrullahu në minutën e 92-të dhe Anik Vitia në minutën e 94-të, duke e mbyllur sfidën me rezultat përfundimtar 5:1.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi Bekim Isufi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve dhe me mënyrën se si ata zbatuan detyrat taktike në fushë.
“Vetë rezultati 5:1 tregon se kemi dominuar plotësisht kundërshtarin. Nuk kemi pasur shumë ditë për t’u përgatitur, por gjithçka funksionoi mirë. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe me mënyrën se si u përshtatën me kërkesat taktike. Sigurisht se ka hapësirë për përmirësim, por duke marrë parasysh që shumë prej tyre luajtën për herë të parë bashkë, mund të jemi shumë të kënaqur me këtë paraqitje. Shpresoj që edhe në ndeshjen e dytë të tregojmë lojë të mirë,” deklaroi Isufi.
Ndeshja e dytë miqësore mes Kosovës U20 dhe Katarit U20 do të zhvillohet të mërkurën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me fillim nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV







