Kosova do të zhvillojë nesër një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli në kuadër të Ligës së Kombeve. Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, “Dardanet” do të përballen me kombëtaren e Turqisë në fazën e “play-offit”, ku në dy ndeshje do të vendoset se cila kombëtare do të garojë edicionin e ardhshëm në Ligën B. Për vajzat e Kosovës, kjo përballje është vendimtare dhe me peshë të madhe sportive.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj, nuk e konsideron të lehtë sfidën e së premtes, por shpreson dhe beson në përkushtimin maksimal të lojtareve:
“Ne presim që planifikimet që i kemi bërë, si në aspektin e përgjithshëm ashtu edhe në atë specifik, të shihen brenda vijave të fushës dhe të na sjellin rezultat pozitiv. Kemi bërë një analizë të detajuar të kundërshtarit, si unë ashtu edhe futbollistet. Synimi ynë është të jemi sa më sulmues, të krijojmë më shumë raste dhe të jemi efektive në finalizim. Kemi vendosur një plan të qartë për t’iu kundërvënë Turqisë, si në momentet kur ata e kanë topin, ashtu edhe kur ne jemi në fazën e sulmit. Pres përkushtim maksimal dhe fokus 100%. Vajzat janë të vetëdijshme për rëndësinë e lojës dhe shpresoj që si produkt i punës sonë të dalim nesër fitues”, deklaroi Sermaxhaj.
Kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti, foli për pikat e forta të kundërshtarit dhe për përgatitjet që Kosova ka bërë gjatë këtyre ditëve:
“Me Turqinë kemi luajtur në vitin 2019, ishte edhe ndeshja ime e parë zyrtare për Kosovën. Janë pothuajse të njëjtat lojtare nga ajo kohë. Ne kemi disa vajza që luajnë në ligën turke, i njohim mirë kundërshtaret. E dimë që janë të forta në duele dhe kanë kundërsulme të shpejta, por besoj se jemi përgatitur mirë për këtë përballje”, tha Mehmeti.
Një ndër lojtaret që e njeh më mirë futbollin turk është Kaltrina Biqkaj, e cila aktualisht luan në kampionatin e Turqisë. Për të, ky takim është edhe më emocionues, pasi do të përballet me disa nga bashkëlojtaret e saj të klubit: “Është një ndeshje e vështirë, duke ditur se bëhet fjalë për ‘play-off’, ku vendoset kush qëndron në Ligën B dhe kush bie në Ligën C. Të gjitha futbollistet janë të gatshme dhe kemi cilësinë e duhur. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe kemi ndërtuar një plan për të dalë fitimtare. Çdo paraqitje më ndihmon të rritem si futbolliste, por ndeshja e nesërme është e veçantë, duke pasur parasysh që unë luaj në ligën turke. Kemi dy bashkëlojtare që përfaqësojnë Turqinë, por nuk kemi komunikuar para ndeshjes”, tha Biqkaj me buzëqeshje.
Futbollistet e Kombëtares së Kosovës i kanë bërë thirrje tifozëve “Dardanët” që t’i mbështesin sa më masivisht në ndeshjen e nesërme, pasi, siç theksojnë ato, prania dhe përkrahja e tifozëve janë gjithmonë një shtytje e madhe drejt rezultateve pozitive.
Ndeshja zhvillohet nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe hyrja për të gjithë tifozët është falas. /ATVLIVE.TV