Përgatiti: Nora Luta
Konsiderohen si investim më i madh në Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj.
Por dronët “Bayraktar TB-2”, të blerë nga Turqia, përveç specifikave për përdorimin e tyre, ata në këtë fazë as nuk do të mirëmbahen nga FSK-ja.
Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se pjesë e kontratës për blerjen e tyre është edhe trajnimi i stafit dhe mirëmbajtja e pajisjeve, deri në përgatitjen e kapaciteteve vetjake.
Sipas Maqedoncit, Kosova ka blerë pajisje dhe armatime të tjera të teknologjisë së fundit.
Maqedonci, në një intervistë për ATV-në, ka thënë se Fondi i Sigurisë do të jetë i përhershëm.
Por ministri i Mbrojtjes nuk ka treguar kur do të bëhet publik buxheti i mbledhur deri tash, meqë, sipas tij, përgjegjësia bie te Ministria e Financave.
Ndërkohë, faza e dytë e planit të transformimit të FSK-së në ushtri, sipas Maqedoncit, do të përfundojë në vitin 2025.
Maqedonci, i cili u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së Armend Mehajt, ka shtuar se zbehja e raporteve dhe mospajtimet me ndërkombëtarët nuk kanë ndikuar në Ministrinë e Mbrojtjes, duke theksuar mbështetjen që e ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Maqedonci vizitën e parë zyrtare do ta ketë javën e ardhshme në Shqipëri, ndërsa po gjatë këtij muaji ai do të zhvillojë takime edhe në Britaninë e Madhe.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: