Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, me ç’rast rast nënshkruan marrëveshjen për marrëdhënie mes shteteve simotra, Kosovës dhe Iowa-s. Kjo marrëveshje pritet ta fuqizojë bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe bujqësisë.
“Po ashtu do të krijoj instrumente për koordinim të shtuar mes dy vendeve tona edhe në fushën e mbrojtjes. Një bashkëpunim ky që ka qenë esencial mes FSK-së dhe Iowa-s. Por mbi të gjitha marrëveshja e nënshkruar sot do t’iu hapë rrugë përafrimit dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë. Për Republikën e Kosovës aleanca me ShBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale”, tha Osmani.
Përkushtim për ta zgjeruar bashkëpunimin shprehu edhe guvernatorja Reynolds.
“Marrëdhënia jonë speciale është e ndërtuar në një themel të fortë të partneritetit në fushën e sigurisë, të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të lulëzojë edhe tani… Kjo është një dëshmi aq e fuqishme e ndikimit që partneriteti ynë mund të ketë. Mund të dini se sa jemi të përkushtuar për t’i zgjeruar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë edhe më tej, në fushën e sigurisë, edukimit dhe në lidhjet e reja komerciale”, tha Reynolds.
Pas takimit me Osmanin, Reynolds u takua edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Takimi qe i mbyllur për media, por përmes një shkrimi në Facebook, Konjufca tha se biseduan për mundësitë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbyem pikëpamjet rreth zhvillimeve politike në vend e rajon.
Në fund të vizitës, Reynolds u takua edhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: