Kontrata e pranverës për pastrim të borës

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka arritur të nënshkruajë me kohë kontratën për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

Edhe pse pjesa kryesore e kontratës kishte të bënte me pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës nëpër rrugë, kjo ministri e kishte nënshkruar kontratën vetëm më 28.02.2024.

tenderin me procedurë të negociuar “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.”, që ishte iniciuar më 19.12.2023, kishte ankesa dhe pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Sipas kësaj ministrie, ky aktivitet i prokurimit ishte nisur gjatë sezonit dimëror dhe është rezultat i një memorandumi bashkëpunimi me komunat respektive.

“Inicimi i procedurave të prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” është rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të MMPHI dhe Komunave Mitrovice e V., Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok nënshkruar me date 19.12.2023 dhe se ky inicim është filluar me datë 20 dhjetor të vitit 2023”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Megjithatë, bazuar në dokumentet e publikuara në E-prokurim, Ministria e Infrastrukturës e ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës vetëm më 21.02.2024, apo 2 muaj pas inicimit të tenderit.

Ministria nuk ka publikuar ndonjë sqarim pse është vonuar procesi për dy muaj përkundër faktit që ishte zgjedhur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Për të parë punët që janë kryer bazuar në këtë kontratë, më 14 maj 2024 është kërkuar qasje në faturat e paguara në kuadër të kësaj kontrate.

Ministria na ka dhënë qasje në një faturë të muajit prill në vlerë prej 26 mijë e 677 euro.

Në këtë faturë nga 26 mijë euro, ani pse nuk pati reshje të borës, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” janë paguar 12 mijë e 183 euro.

Pjesa më e madhe e këtij situacioni kishte shkuar për pozicionin “Koha e kujdestarisë 24 orë, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë.

Në këtë faturë janë faturuar 120 ditë me nga 65 euro dhe totali i pagesës ishte 7,800 euro. Në dokumentin nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të muajit prill kishin kaluar më pakë se 50 ditë nga dita e fillimit të zbatimit të kontratës.

Ministria kishte paguar edhe 50,350 kilogram krypë, të cilat ishin paguar me një çmim prej 0.07 euro, që në total pagesa ishte 3,524 euro.

Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.

Sipas paramasës së nënshkruar, të cilën e posedon televizioni, 64 mijë euro ishin paraparë të shpenzoheshin për furnizim dhe shpërndarje të kripës, kurse 5 mijë e 880 euro për furnizim me rërë dhe shpërndarje të saj. Ndërkaq, pjesa tjetër e mjeteve ishte paraparë të shpenzohet për automjete dhe sinjalizim të trafikut.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore.

Megjithatë, ai nuk u përgjigj në gjitha pyetjet duke thënë se në pyetjet e dërguara më datën 3 qershor 2024 do të përgjigjet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

“Po po atje ka pas shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata por nëse ju i keni dergu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”- është përgjigjur zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në pyetjen se sa është shpenzuar nga kontrata e nënshkruar për mirëmbajtjen e rrugëve në katër komunat veriore.

Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i projektit nga ana e Autoritetit Kontraktuese e ka dërguar tek televizioni një raport të punës së këtij projekti.

Ai ka thënë se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

“Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023”- thuhet në raportin e Beshirit.

Përkundër motit të mirë, Operatori Ekonomik siç parashihet në kontratë ka bërë kujdestari.

“Gatishmëria e kujdestarisë ka qenë prezente gjatë gjithë muajit mars me ndërrim 24/7. Gjatë kësaj periudhë ka pasur inspektime të rregullta ditore të rrugëve lokale”- thuhet në këtë raport të menaxherit të kontratës, Agron Beshiri.

Tutje, në raport janë listuar punët e realizuara bazuar në këtë kontratë, që përputhen me faturën e dërguar nga Ministria e Infrastrukturës, në vlerë 26,677 euro.

“Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26,677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19.26%”- thuhet në raport, në të cilin nuk ka asnjë detaj nëse gjatë muajit prill e maj është bërë ndonjë shpenzim tjetër bazuar në këtë kontratë.

Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate dy herë ishte kontaktuar edhe kompania “SHKOZA F007”. Herën e parë ishte kontaktuar më 13 prill 2024, por kur personi kontaktues kishte kuptuar se po kontaktohej nga një gazetar, e kishte bllokuar numrin. Në të njëjtën datë, televizoni kishte tentuar të marrë

përgjigje edhe përmes platformës sociale FACEBOOK, por i njëjti kishte bllokuar llogarinë kontaktuese.

Kurse, herën e dytë është kontaktuar më 18.06.2024 dhe personi që është lajmëruar në telefon ka thënë se është nga kompania “SHKOZA F007” pasi e ka dëgjuar pyetjen ka thënë se është shofer dhe e ka mbyllur telefonin.

Ankesat në tender

Mes tjerash, ky aktivitet i prokurimit ishte përcjellë edhe me pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga ana e një operatori ekonomik, që ishte në garë. Fillimisht më 9 shkurt 2024, pas kërkesës për rishqyrtim të një operatori ekonomik, zyrtari përgjegjës i prokurimit në këtë dikaster qeveritar kishte nxjerrë vendim për pezullim të këtij aktiviteti të prokurimit.

Megjithatë në të njëjtën ditë, Autoriteti Kontraktues e kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të “B CORP SH.P.K.”.

Kompania ankuese kishte pretenduar se Operatori Ekonomik i propozuar për kontratë ishte i papërgjegjshëm meqë nuk kishte përmbushur kërkesat e përshtatshmërisë: Vërtetim nga një Gjykatë kompetente ku vërteton se drejtuesit, menaxheret e saj gjatë dhjetë viteve të kaluara nuk janë shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme.

Në këtë përfundim “B CORP SH.P.K.” kishte ardhur pasi ishte qasur në dosjen e Operatorit Ekonomik ankues.

Ky pretendim ishte hedhur poshtë, meqë sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Operatori Ekonomik fitues i kishte sjellë dokumentet para Njoftimit mbi vendim e Autoritetit Kontraktues dhe ishin të ngarkuara te dëshmitë e pranueshmërisë në platformën e-prokurimi.

Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA