Përgatiti: Benita Zeneli
Për 9 muaj të këtij viti, 5 komuna shpenzuan mbi 50% të buxhetit për investime kapitale. Ndërkohë, dy të tjera, Malisheva e Obiliqi prinin në këtë aspekt me mbi 90%.
Por, pas gati 3 muajsh deri në përfundim të vitit, sipas Asociacionit të Komunave, 14 komuna kanë arritur ta shpenzojnë buxhetin mbi 80%. Njëra prej tyre, është ajo e Lipjanit.
“Viti që po e lëmë pas, besoj është një ndër vitet më të suksesshëm e parashikuar me realizmin e buxhetit, edhe pse kemi akoma kohë ditë deri në fund të vitit. Investimet kapitale janë realizuar 80%”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Por disa komuna qëndrojnë akoma më mirë, duke e përmbyllur vitin me shpenzim prej 100% të buxhetit.
“Apo janë afër 100%, janë Obiliqi, Malisheva, Parteshi, Deçani, Rahoveci, Ferizaj Skenderaj, mirëpo edhe shumica janë që i kanë shpenzuar mbi 80%”, tha : Sazan Ibrahimi nga AKK.
Sipas Ibrahimit, shumica e komunave të tjera kanë shpenzuar mbi 70% të buxhetit, derisa vetëm 4 komuna anëtare të asociacionit kanë shpenzuar më pak se 50%.
“Kanë pasur probleme sa i përket shpenzimeve, sepse kanë pranuar buxhetin me vonesë nga niveli qendror ka pasur probleme nga të hyrat vetanake dhe kanë arritur rezultat jashtëzakonisht të mirë në raport me nivelin qendror”, tha Ibrahimi.
Njëkohësisht, mesatarja e të gjitha komunave arrin në 67% të shfrytëzimit të buxhetit. Megjithatë, sipas institutit GAP, ka mbetur një numër i lartë i projekteve që nuk janë nisur gjatë këtij viti.
“I kontraktojnë punët në gjysmën e dytë të vitit, çka nënkupton që pagesat e atyre projekteve i bëjnë pas muajit shtator, që nuk reflektojnë në këto përqindje, pra përqindja gjithsesi rritet deri në fund të vitit. Instituti GAP ka gjetur se janë 1700 projekte kapitale që nuk kanë nisur në terren gjatë këtij viti e 1100 janë të komunave”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.
Ndërkaq, 4 komunat veriore për shkak se nuk i raportojnë shpenzimet, figurojnë me 0% të shfrytëzimit të buxhetit për investime kapitale.