Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësim ndaj Autizmit, komuna ka vendosur të ndajë nga 50 euro për fëmijët me autizëm.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka theksuar se ky vendim synon të shprehë përkujdesjen institucionale dhe vullnetin për të mbështetur këtë kategori.
“Ky vendim më shumë është demonstrim i vullnetit të mirë dhe përkujdesit institucional, si dhe zotim për mbështetje edhe në forma të tjera”, ka deklaruar Peci.
Ai ka bërë të ditur se angazhimet e komunës do të jenë gjithëpërfshirëse, me synim avancimin e pozitës dhe përmirësimin e shërbimeve për fëmijët me autizëm.
“Angazhimet tona do të jenë gjithëpërfshirëse për të avancuar pozitën dhe ngritur kualitetin e shërbimeve ndaj kësaj kategorie”, ka theksuar ai.
Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se një shoqëri e zhvilluar duhet të kujdeset për të gjitha kategoritë e qytetarëve.
“Një shoqëri e avancuar përkujdeset për secilën kategori”, ka deklaruar Peci.






