Tether, aksioner minoritar i Juventusit ka njoftuar se ka paraqitur një ofertë për të blerë paketën shumicë të aksioneve të Exor dhe synon të blejë edhe pjesën e mbetur për të marrë pronësinë e plotë të klubit.
Tether, bleu për herë të parë një pjesë të vogël të aksioneve të Juventusit në shkurt të vitit 2025. Drejtori Paolo Ardoino është një tifoz i përjetshëm i Zonjës së “Vjetër”.
Në prill, Tether e rriti pjesëmarrjen e tij në klub, dhe asokohe raportohej se zotëronte 10.12 për qind të aksioneve dhe 6.18 për qind të të drejtave të votës.
Të premten mbrëma, Tether njoftoi se ka paraqitur një “propozim detyrues, plotësisht në para” për të blerë aksionet e Exor. Exor është kompania mbajtëse e kontrolluar nga familja Agnelli, e cila ka qenë pronare e Juventusit që nga viti 1923.
Aktualisht, Exor zotëron 65.4 për qind të aksioneve të Juventusit. Sipas Calcio e Finanza, Tether ka ofruar 2.66 euro për aksion, që përkthehet në rreth 1.1 miliardë euro gjithsej.
“Tether ka paraqitur një propozim detyrues, të gjitha në para, për Exor për të blerë gjithë paketën e tyre të aksioneve në Juventus Football Club”.
“Me kusht që të merren miratimet rregullatore, Tether synon të bëjë një ofertë publike edhe për aksionet e mbetura, me të njëjtin çmim, të financuar tërësisht me kapitalin e vet dhe të mbështetur nga një angazhim afatgjatë ndaj klubit”.
“Kjo ofertë pasqyron besimin se Juventusi është më shumë sesa një klub futbolli. Për breza me radhë, Juventus ka përfaqësuar disiplinë, ambicie dhe forcën e qetë të atyre që rindërtojnë sezon pas sezoni. Është një klub që ka formësuar identitetin sportiv italian dhe ka fituar besnikërinë e tifozëve në mbarë botën”.
Drejtori Ardoino shtoi: “Për mua, Juventusi ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. U rrita me këtë skuadër. Si fëmijë, mësova çfarë do të thotë përkushtim, rezistencë dhe përgjegjësi duke parë Juven të përballet me suksesin dhe vështirësitë me dinjitet. Ato mësime më kanë ndjekur gjatë gjithë jetës”.
“Interesi ynë për Juventus vjen nga admirim dhe respekt i thellë. Juventusi është simbol i ekselencës italiane me prezencë globale, i ndërtuar ndër breza përmes punës së palodhur, ambicies dhe besnikërisë së tifozëve. Këto vlera përputhen me mënyrën se si kemi ndërtuar Tether – me durim, pavarësi dhe fokus tek qëndrueshmëria afatgjatë.
“Tether është në një pozicion të fortë financiar dhe synon ta mbështesë Juven me kapital stabil dhe vizion afatgjatë. Qëllimi ynë është të kontribuojmë pozitivisht në të ardhmen e klubit, të mbështesim performancën sportive në nivelin më të lartë.
“Kjo ofertë bëhet me përulësi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj klubit, tifozëve dhe trashëgimisë së tij. Ne besojmë se historia e Juventusit është ende duke u shkruar, dhe kapitujt e ardhshëm mund të përcaktohen nga forca, vazhdimësia dhe ambicia.”
“Propozimi parasheh blerjen e aksioneve të Exor, që përfaqësojnë 65.4% të kapitalit të lëshuar nga Juventusi. Përfundimi i transaksionit do të varet nga pranimi i Exor, nënshkrimi i dokumenteve përfundimtare dhe marrja e miratimeve rregullatore. Pas përfundimit, Tether synon të vazhdojë me një ofertë publike për të gjitha aksionet e mbetura me të njëjtin çmim për aksion.
“Në rast se transaksioni finalizohet, Tether është i përgatitur të investojë 1 miliard euro për mbështetjen dhe zhvillimin e klubit.
“Tether operon me filozofi investimi afatgjatë, të mbështetur nga bilanc i fortë dhe fokus në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe me rëndësi globale. Përditësime të tjera do të jepen në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.






