16.7 C
Pristina
Thursday, March 12, 2026

Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar Asocacionin e Komunave të Kosovës, se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.

Ky vendim, siç thuhet në njoftimin e tyre në Facebook, vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.

Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.

“Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian. Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë”, thuhet në njoftim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), thuhet se ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian.

“Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në:

promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës;informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës;forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.

“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA